Fundi i Botes   
Shkruar nga Dr.Shefqet Krasniqi   
Monday, 15 February 2010

Sa është largësia e njohurisë që e arrijnë shqisat dhe a janë ato në gjendje ta kuptojnë krejt çka ekziston? Ç`është imagjinata? A ka kufij ajo, apo është e lirë?
(vijon nga artikulli i javës së kaluar)
Javën e kaluar cekëm disa fakte për ata të cilët i thonë vetës "materialistë", duke besuar vetëm në atë që mund të perceptohet me shqisa, për të treguar se edhe ata medoemos besojnë në gjëra që dalin jashtë shqisave. Ndër ato fakte të cilat i sollëm ishte se njeriu mund t`i perceptojë gjërat nëpërmjet shqisave duke u ardhur në ndihmë atyre edhe mendja, mirëpo besojmë edhe në gjëra të tjera, të cilat nuk janë të pranishme para nesh, por ato i kemi arritur nëpërmjet  lajmeve të sigurta, bile këtu janë edhe më shumë sesa ato që i perceptojmë me shqisa. 

Andaj erdhëm në përfundim se, ashtu siç arrihet te bindja e fortë nëpërmes shqisave dhe vështrimit, po ashtu arrihet edhe nëpërmjet dëshmive të transmetuesve. E vazhdojmë edhe sot për t`i sjellë disa fakte të tjera bindëse, për të besuar në gjëra të fshehta:
Sa është largësia e njohurisë që e arrijnë shqisat dhe a janë ato në gjendje ta kuptojnë krejt atë që ekziston? Apo thënë ndryshe: a ka mundur ndonjëra nga shqisat ta zbulojë gjithë atë që gjendet në botë mbi të cilën ka vigjiluar?
P.sh. nëse dalim në natyrë dhe vështrojmë gjithë atë që gjendet para nesh, sa larg sheh syri ynë?! Pastaj në mes asaj që sheh syri ynë ka edhe shumë gjëra të cilat, edhe pse ekzistojnë, ai megjithatë nuk i sheh, p.sh tek një largësi prej njëqind metrash mund të ketë buburreca, apo insekte të tjera, më të mëdhenj apo më të vegjël, por ne nuk i shohim, pastaj ai buburrec apo ai insekt sigurisht se ka zë, por ne atë nuk e dëgjojmë, por patjetër se dikush edhe e sheh atë buburrec edhe ia dëgjon zërin. Ose marrim gotën me ujë dhe ne në të nuk vërejmë tjetër pos ujit të rëndomtë, ani pse aty brenda në gotë ka me miliona mikroorganizma të cilët qarkullojnë e lëvizin.
Vendosim mjaltin në kuzhinë e cila ka aromën e vet, por ne nuk e ndiejmë atë ndërsa buburreci ia ndien erën, për atë edhe i ofrohet atij mjalti. Po ashtu ndodh edhe me aromën e sheqerit. Bile edhe më qartë se kaq, jemi në dhomë duke ndenjur në një qetësi të plotë, fare zëra nuk dëgjojmë. Për një çaste ngrihesh në këmbë dhe hap radion, ku tashmë ndien zëra të ndryshëm. Zëra këta të cilët kanë qenë edhe më herët nëpërmjet valëve të ndryshme, por ja që ti nuk i ke dëgjuar, por në realitet ata kanë ekzistuar. Pra vijmë në përfundim se shumë gjëra nuk hynë në sferën e shqisave apo ndjenjave, ani pse ato ekzistojnë dhe ne besojmë thellë në ekzistimin e tyre.

Allahu i Madhëruar për t`iu ndihmuar shqisave dhe për t`i plotësuar ato ka krijuar imagjinatën, ashtu që falë kësaj dhuntie të Allahut njeriu mund ta perceptojë një objekt të cilin e ka parë më herët, por tash nuk e ka para syve të tij. p.sh ai i cili ka qenë në Mekë dhe ka parë Qabën e shenjtë, sa herë që do mund ta parafytyrojë  dhe ta përshkruajë Qabënë, iu duket sikurse është duke e parë tani. Po ashtu ndodh edhe me ndonjë zë që e kemi dëgjuar më herët. Mirëpo, a thua imagjinata është e kufizuar apo e lirë? Thënë ndryshe, a mund të parafytyrojë diç që nuk e kam ndier me shqisa?! Kemi dy lloje imagjinatash. Imagjinata konstruktive është ajo që është ndërtuar më herët, është imagjinatë reale, siç thamë të perceptuarit e Qabesë, dhe imagjinata  destruktive,  e cila është joreale, ku njeriu imagjinon diçka çka është jashtë shqisave të tij. p.sh thotë Allahu i Madhëruar: "Nëse të pyesin ty për shpirtin, thuaju: ajo është që i takon Zotit tënd, ndërsa juve u është dhënë fort pak dituri" (Kuran, 17:85) Shtrohet pyetja, si do ta imagjinonte njeriu shpirtin kur as nuk e ka parë e as nuk e ka dëgjuar, as aromën nuk ia ka ndier e  as nuk e ka prekur?! Ose si do t`i imagjinonte njeriu melaqet - engjëjt, kur ai nuk i ka parë asnjëherë?! Kur kam fjalën te melaqet, më kujtohet kur isha i vogël, disa ashkali i sillnin disa vizatime, kinse  Ibrahimi a.s duke dashur ta therte birin e tij Ismailin, e në anën tjetër zbriste një melaqe nga qielli me një dash në dorë, për t`ia dhënë Ibrahimit si kompensim në vend të birit të tij që ta therë kurban. Ibrahimi ishte i vizatuar në formë të një plaku me mjekër të bardhë, e Ismaili si një djalosh i ri.

Deri këtu ta zëmë se ishte në rregull, ngase ashtu edhe mund të imagjinohen ata dy babë e bir, edhe pse artisti i cili i ka vizatuar nuk i ka parë, por a thua si e ka imagjinuar melaqen të cilën nuk e ka parë kurrë?! E ka bërë në formë të një vajze të re, të bukur, me fustan të gjatë dhe me krahë. A thua ashtu është melaqja?! Asnjëherë. Por kjo është ajo imagjinata destruktive, e cila del jashtë shqisave dhe asnjëherë njeriu nuk është në gjendje ta imagjinojë ashtu siç ekziston, apo siç është reale.
Të njëjtën gjë e hasim edhe me imagjinatën e  djallit të mallkuar. Nga kjo themi si ta imagjinojmë xhenetin dhe të mirat e tij, xhehenemin dhe vuajtjet në të?! Si mund ta imagjinojmë njërin apo tjetrin, kur ajo që është në atë botë është krejt ndryshe nga ajo çka kemi në këtë botë?! Pra përfundimisht themi se edhe shqisat edhe mendja e edhe imagjinata janë të kufizuara. Kaq sa për sot, e inshallah javën tjetër vazhdojmë po me të njëjtën temë.
Deri atëherë selam alejkum ve rahmetullah!

Sa është ne gjendje mendja te gjykoje? A ka kufij ajo mendje? A ka njerëz vërtet ateiste, apo edhe ata ndonjëherë kthehen ne fe?
Ne dy artikujt e mëparshëm  thamë se njeriu vjen deri te njohja e gjerave nëpërmjet  shqisave duke ju ardhur ne ndihme atyre, natyrisht, mendja, dhe se këto shqisa janë te mangëta. Pastaj njeriu ka imagjinatën, e cila shume u ndihmon shqisave dhe, sikur mos te ishte ajo imagjinate, njeriu do te ishte tepër i mangët, mirëpo edhe kjo imagjinate, ashtu si shqisat dhe mendja, është e kufizuar.
 
Këto  ishin faktet te cilat u munduam ne pika te shkurtra t`i sqarojmë gjate dy artikujve te dy javëve te kaluara. Por, te shkojmë edhe me tej për te sjelle fakte te tjera bindëse për te besuar ne gjera te fshehta.

Kemi cekur me herët se mendja gjykon atë qe vigjilojnë shqisat se a e kane mire apo keq. P.sh kur syri sheh magjistarin se si po nxjerr nga faculeta e tij dhjetëra  lepuj, ajo ndërhyn e thotë: kjo është e pavërtete dhe se neve vetëm syri po na mashtron, përndryshe është e pamundur te dale nga faculeta lepuri.
 
Mirëpo, a thua sa është  ne gjendje mendja ta gjykoje? A ka kufij ajo mendje? Mendja mund te kuptoje e te gjykoje vetëm atë qe është brenda kohës dhe hapësirës,  përndryshe ajo çka del jashtë këtyre dy faktorëve ajo nuk është ne gjendje ne mënyre absolute qe ta perceptoje e te gjykoje për te. P.sh nëse vjen një  plak i odave dhe na thotë se dikur kane qene dy persona shume te mëdhenj, Mujo dhe Halili , saqë stalla e kuajve te tyre ka qene sa një shtëpi e sotme tre katesh, mirëpo  ata nuk kane qene as ne kohen e turkut, e as para turkut, as ne kohen e ilireve e as para tyre, e as pas tyre, por ajo çka është e sigurt është se ata kane qene. Mendja këtë nuk do te mund ta kuptoje asnjëherë, sepse e kërkon kohen se kur kane qene ata. Ose nëse dikush thotë se: ekziston  një qytet i bukur, mahnitës, mirëpo ai nuk është as ne toke e as ne qiell.
 
A do te pajtohej mendja me këtë?! a do te jete ne gjendje ta perceptoje atë te dhëne e cila nuk lidhet as me vend e as me hapësirë?! Asnjëherë?! Nëse është kështu atëherë  themi: si është ne gjendje mendja e njeriut ta perceptoje Lartmadhërinë e Allahut apo cilësitë e Tij, ta gjykoje Atë, kurse Ai është  jashtë  hapësirës?! Natyrisht se nuk ka mundësi, ashtu siç nuk ka mundësi ta perceptoje e ta kuptoje çështjen e shpirtit, çështjen e jetës pas vdekjes e kështu me radhe.

Te gjithë  njerëzit,  pa dallim a  janë besimtare apo ateiste, qe te gjithë kur  janë ne zor te madh, kthehen tek Allahu i Madhëruar  dhe  kërkojnë  nga Ai ndihme. Kur njeriun ta kape ndonjë frike e madhe si lufta, apo sëmundje e rende nga e cila pak shpreson ne shërim, pasi gati sa i ka humbur shpresat nga njerëzit, ai vetvetiu instinktivisht kthehet dhe kërkon ndihme nga një fuqi e madhe te cilën nuk e ka pare, por e ka ndier thelle ne zemrën e tij.
 
Nuk ka kush qe me bind mua se Enveri e Titoja nuk e kane ndjere ne shpirtin e tyre një fuqi te madhe te cilës iu kane drejtuar, se paku kur kane qene ne hall te madh, apo kur e kanë ndier afër vdekjen, por para njerëzve e kane fshehur atë sepse haptazi e kane kundërshtuar. Këta dy "ateiste" nuk kane qene te rangut te Faraonit, i cili ka jetuar ne kohen e Musait, e i cili jo vetëm qe mohonte Zotin, por e konsideronte veten si zot. Megjithatë, kur i erdhi vdekja - qe u fundos ne det - tha: "Besova se nuk ka zot tjetër pos Atij qe i besuan Beni Israilet (Musa me popullin e tij)" (Junus: 90), por natyrisht se ishte tepër vone për te, ashtu siç u be vone për Enverin dhe Titon dhe për shume ateiste te tjerë  pas dhe para tyre. Kam lexuar diku se e bija e Stalinit ka botuar "kujtimet e saj" dhe aty kishte cekur se si ajo i është kthyer fesë me gjithë faktin se ajo është  rritur ne djep te ateizmit.
 
Pra, çdo  njeri i mire apo i keq, besimtar apo ateist, ne shpirtin e tij thelle e ndjen një nevoje për te besuar ne diçka te madhe, për t`iu drejtuar asaj fuqie te madhe se paku kur është ne zor te madh, e qe ne realitet ajo është e mbjelle ne zemrën e tij, ne natyrshmërinë e tij, e qe ne e quajmë atë besim apo fe. Shpesh me kujtohen shqiptaret tanë gjate luftës si "refugjate" neper Shqipëri e Maqedoni, se si u ndjenin shume afër  Zotit dhe thuajse te gjithë kur flisje për fe te dëgjonin  me vëmendje, ndërsa pas përfundimit  te luftës  dhe kthimit te tyre ne shtëpitë e tyre, pasi nuk kishte me frike, sikurse filluan ta konsiderojnë veten te panevojshëm  për fe.
 
Pra, jo rrallëherë ndodh qe ky njeri te kthehet me dashje a padashur ne natyrshmërinë e tij ne te cilën është i lindur me te. Andaj, nëse do te thuash apo te konstatosh nga ky kontekst se nuk ka njeri ateist, mund te thuash dhe nuk gabon fare. Por ajo çka ndodh me njerëzit është se këtë natyrshmëri njerëzore ndonjëherë  e mbulojnë  epshet,  dëshirat, pasionet, interesi i madh i dynjasë, e pastaj kur ta tronditin atë tmerret, rreziqet e hedh nga vetja atë mbulese dhe paraqitet besimi. Për atë arsye, ne Islam, ai i cili e mohon Allahun quhet "kafir/qafir" , e qe ne i themi mosbesimtar, apo jomysliman. Por, kuptimi i ngushte i kësaj fjale është: ta mbulosh diçka, ta mbulosh realitetin e ekzistimit te Allahut, ta mbulosh ndjenjën e tij te brendshme për ekzistimin e Allahut - Krijues i gjithësisë.
Nga kjo themi se është e pamundur qe njeriu te jetoje e te vdesë pa menduar ne Zotin e kësaj gjithësie, mirëpo ai mund te jete mendjeshkurtër e mos te arrije ta njohe Zotin e vërtete, për çka mund te adhuroje gjera te tjera duke menduar se ka adhuruar apo i është drejtuar Zotit te vërtetë, ashtu siç ka mundësi shume here qe familja dhe shoqëria te janë shkaktare qe ai person mos ta gjeje rrugën e vërtetë.
Kaq sa për këtë jave. Deri javën e ardhshme, selam alejkum ve rahmetullah!