| Konfirmoni Regjistrimin |
|
Ju lutemi që pas regjistrimit në uebsajt ta konfirmoni regjistrimin tuaj duke klikuar linkun i cili ju është dërguar në email adresën që keni dhënë gjatë regjistrimit! {Stafi i Krenaria.com} |
| Shkurtimi i namazit |
|
|
|
| Shkruar nga Krenaria | |
| Monday, 26 November 2007 | |
|
Pyetja: Kur duhet të shkurtohet namazi, si bëhet shkurtimi i namazit dhe cilat janë kushtet e shkurtimit të namazit?
Përgjigjja (nga Dr. Shefqet Krasniqi): Rreth kësaj çështje dijetarët islamë shumë kanë diskutuar. Kjo është një temë e gjërë dhe nuk kemi mundësi të zgjerohemi shumë, por do të përgjigjemi sa më shkurt. Ajo që është më së shumti është sa të ecësh tri ditë e tri netë, edhe pse disa dijetarë kanë thënë sa të ecësh dy ditë e dy netë. Imam Shafiu ka thënë: Unë them dy ditë e dy netë, por për vete e zgjedh tri ditë e tri netë. Kjo është më e sigurtë. Për këtë arsye në kohën e sotme dikush e merr me kilometra, disa kanë thënë tetëdhjetë km., por saktësisht nuk është e caktuar me kilometra, sepse Pejgamberi s.a.v.s. nuk e ka matur me kilometra, por ka thënë me ecje. Por për një gjë duhet të jemi shumë të kujdesshëm, e ajo është se llogaritja e 80 kilometrave bëhet vetëm në një drejtim, jo 80 kilometra në dy drejtime, pra , në vajtje e ardhje. Jo siç më ka pyetur njëhërë një person, ai thotë: Në Ramazan kam shkuar me veturë së bashku me një person, kur arritëm në Malishevë, ai person e ndezi cigaren. Unë i thashë: Pse e ndeze cigaren? A nuk po agjëron? Ai më tha: Unë jam udhëtar, ngase kam bërë 40 km. në një drejtim dhe 40km. në drejtimin tjetër dhe së bashku bëjnë 80 km. Ai person nëse e ka bërë këtë, ai është injorant. Nuk di asgjë nga feja e All-llahut a.z.v.xh. Ai këtë e ka nxjerrë prej xhepit të vetë, apo ndoshta fare nuk ka qenë agjërueshëm, por ka dashur ta justifikojë vetëveten dhe nuk ka ditur se si të gjendet ndryshe. Shkuarja dhe ardhja nuk llogaritet, por llogaritet vetëm një drejtim. Pastaj nuk lejohet ta shkurtosh namazin duke qenë ende në shtëpi, Pejgamberi s.a.v.s. ka pasur traditë ta shkurtojë namazin pasi dilte jashtë shtëpive të Medinës. Pra kur të dalësh jashtë qytetit të Prishtinës fillon ta shkurtosh namazin. Nëse ka hyrë koha e drekës dhe nuk e ke falë drekën, atëherë kur të dalësh në periferi të qytetit e shkurton namazin dhe i falë dy rekate. P.sh. dëshiron të shkosh në Shkup dhe atje do të qëndrosh trembëdhjetë ditë, atëherë çdo namaz duhet ta shkurtosh në dy rekate, përveç namazit të akshamit dhe të sabahut, të cilët nuk shkurtohen. Sunnetet nuk i falë fare ngase Pejgamberi s.a.v.s.nuk i ka falë, përveç sunnetit të sabahut dhe vitrit të cilët i ka falë edhe në udhëtim. Farzet i falë nga dy rekate derisa të kthehesh në hyrje të qytetit. Nëse kur kthehesh në shtëpi dhe nuk e ke falë jacinë p.sh., atëherë jacinë duhet ta falësh të plotë, pra, i falë katër rekate dhe nuk e shkurton, ngase je kthyer në shtëpi. Pastaj drekën dhe ikindinë mund t’i bashkosh ose në kohë të drekës ose në kohë të ikindisë, ose në fillim të kohës së drekës deri në fund të saj, ose në fillim të kohës së ikindisë deri në fund të saj, d.m.th. ke kohë bukur të gjatë. Prandaj shiqon kur të përshtatet ty më së miri që ta falësh. Për këtë arsye këto janë metoda të lehta që i ka lehtësuar All-llahu xh.sh., në veçanti për ata të cilët udhëtojnë, si vëllezërit nga qytetet e ndryshme si nga Dragashi, Shkupi, Kumanova etj. Të marrim një shembull: Nëse shkon në stacion të autobusave për të udhëtuar dhe hyri koha e drekës, kurse në vendin që ddëshiron të shkosh arrin pak para akshamit apo në kohë të akshamit, me këtë rast mbetet që ikindinë ta falësh në autobus, sepse në shtëpi nuk arrin para akshamit, atëherë në stacion të autobusave e bashkon ikindinë me drekën, ngase muslimani në çdo moment duhet të jetë i përgatitur për namaz. Gjithashtu edhe namazin e akshamit mund ta bashkosh me atë të jacisë. Të marrim një shembull tjetër: Ti dëshiron të shkosh në Istanbull dhe ka hyrë koha e akshamit, me këtë rast ke mundësi që namazin e akshamit dhe jacisë ta falësh deri në kohë të sabahut. Nëse ndaleni diku për të pushuar, atëherë e shfrytezon kohen dhe i falë tri rekate të akshamit dhe dy të jacisë, pa marrë parasysh se a është koha e tyre, por duhet të bëhet nijeti, p.sh. a do ta falësh ikindinë në kohë të drekës apo drekën në kohë të ikindisë, apo dëshiron t’i bashkosh më herët në kohë të drekës apo më vonë në kohë të ikindisë. P.sh. je në autobus dhe e sheh se ka hyrë koha e akshamit, kurse shoferi nuk e ndalë autobusin brenda asaj kohe, mirëpo deri në kohë të sabahut do ta ndalë autobusin, atëherë kur të ndalet shfrytëzoje kohën që t’i falësh namazet, tri rekate të namazit të akshamit dhe dy rekate të namazit të jacisë. Por nëse shoferi nuk e ndalë autobusin fare dhe nuk ke mundësi që ta falësh namazin në këmbë, atëherë duhet ta falësh ulur kah cilado anë që të kthehet autobusi. Pra, tolerancë dhe manipulim me namaz nuk ka, por ka vetëm lehtësim nga ana e All-llahut xh.sh., d.m.th. shkurtim dhe bashkim të namazeve. |
| < I mëparshmi | Tjetri > |
|---|