|
Pyetja: A është e obliguar gruaja ta falë namazin e xhumasë?
Përgjigjja (nga Dr. Shefqet Krasniqi): Jo, nuk është e obliguar. Askush nuk ka thënë se namazi i xhumasë është obligim për gruan, mirëpo nëse gruaja e falë namazin e xhumasë, me këtë e ka kryer edhe namazin e drekës dhe nuk ka nevojë ta falë namazin e drekës, ajo e zëvendëson atë, por nëse nuk e falë xhumanë, atëherë duhet ta falë drekën. Në shumë vende të botës e kanë bërë traditë që edhe gratë ta falin xhumanë, sepse ne në parim nuk kemi të drejtë t’i ndalojmë gratë nga shkuarja në xhami. Transmeton Buhariu dhe Muslimi nga Ibn Umeri r.a., se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë:
“Mos i pengoni robëreshat e All-llahut për në xhamitë e All-llahut”. [Transmeton Buahriu (900) dhe Muslimi (989)]. Pra, ka thënë mos i ndaloni prej xhamiave. Mos i ndaloni asnjëherë, qoftë për pesë namazet ditore, qoftë për xhuma, çfarëdo qoftë namazi, mos i ndalo. Nëse ato kanë dëshirë të falen në xhami, janë të lira. Për këtë arsye në shumë vende të botës gratë shkojnë në xhami dhe e falin xhumanë. Unë keëeë shumë e kisha preferuar, mirëpo tek ne kushtet janë shumë të papërshtatshme, e posaçërisht në xhamitë tona.
Përndryshe do të ishte shumë praktike, sepse femrat tek ne, motrat muslimane janë të varfëra sa i përket dijes dhe atyre nuk u ipet mundësia ta dëgjojnë fjalën e All-llahut a.z.v.xh., kurse burrat kanë dëgjuar më shumë fjalën e All-llahut xh.sh. Vëllezër feja e All-llahut xh.sh. mbahet me bindje, nuk mbahet me pesë minuta si p.sh. një femër e mbulon kokën me shami, apo një i ri e lëshon mjekrën. Feja e All-llahut xh.sh. mbahet me dituri, ngase ne kemi nevojë të mbushemi me dituri. Kurse në vendin tonë motra muslimane nëse nuk merr dituri në xhami, atëherë ku do të marrë dituri? Ndërsa vëllau musliman ka pasur fat që ka ardhur në xhami, ka falë çdo xhuma dhe ka dëgjuar ligjerata. Motra nuk ka pasur këtë mundësi, pastaj femrat kanë mbetur si kanë mbetur. Edhe këto shamia që i kanë pasur, shumica prej tyre kurrë nuk kanë falë namaz. Tani edhe shamiat i hoqën dhe u zhveshën krejt, ngase nuk kishin as bindje e as nuk kishin dituri.
Dhashtë All-llahu a.z.v.xh. që në një të ardhme të shpejtë nëpër xhamiat tona t’u mundësohen femrave hyrjet e veçanta në xhami. |